Xhamia e Kokonozit ose Xhamia e Pazarit të Ri

Xhamia e Kokonozit ose Xhamia e Pazarit të Ri

Xhamia e Kokonozit ndodhet në pjesën lindore të qendrës së qytetit të Tiranës. Ajo ndryshe quhet edhe Xhamia e Pazarit të Ri, pasi me prishjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës, u ndërtua pranë kësaj xhamie, Pazari i Ri. Xhamia e Kokonozit është ndërtuar në shekullin XVIII (rreth viteve 1750-1760). Familja Kokonozi ka dhënë vetëm tokën, ndërsa shpenzimet për ndërtimin e xhamisë janë mbuluar nga një rreth i gjerë donatorësh. Në vitin 1991 ajo u rihap dhe rifilloi aktivitetin fetar.

Xhamia e Kokonozit; foto e vjetër

Në vitin 1967 xhamia e Kokonozit u mbyll, ashtu siç u mbyllën edhe xhamitë e tjera në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Shumë xhami u rrafshuan krejtësisht, ndërsa disa të tjera u kthyen në monumente kulture, duke ruajtur vlerat e tyre unikale. Xhamia e Kokonozit u kthye në magazinë duhani dhe ashtu vazhdoi deri në vitin 1991, kur një grup besimtarësh pasi e pastruan xhaminë, e rikthyen atë në një gjendje të përshtatshme për të kryer ritet fetare. Pas rihapjes, xhamia ishte në një gjendje të mjerueshme, muret e pikturuara me afreske ishin plasaritur pothuajse tërësisht dhe pritej vetëm shembja e tyre. Në pjesën anësore të kupolës, suvaja e dekoruar dhe e pikturuar kishte rënë duke krijuar një hartë kallamishtesh që dilnin nga çatia. Në 1967, xhamisë i ishte shembur edhe minarja deri në lartësinë e fundit të murit anësor të xhamisë. Kjo gjendje e mjerueshme vazhdoi kështu deri në fund të vitit 1999, kur një grup besimtarësh filluan restaurimin e xhamisë. Suvaja e pikturuar e mureve, e cila ishte rrëzuar në shumë vende, u shemb dhe muret u suvatuan përsëri. Prej vitit 1999 e deri ne kohët tona, xhamia është restauruar disa herë, duke filluar nga çatia, rindërtimi i minares, klasat, oborri, dritaret, mihrabi e mimberi. Ndërhyrje janë bërë edhe në sistemin e kanalizimeve e elektrifikimit. Ndërhyrja më e mirë është restaurimi që i është bërë zbukurimeve të kupolës, të cilat janë ruajtur në formën e tyre origjinale, ashtu siç janë pikturuar qysh prej ndërtimit apo rindërtimit të xhamisë.

Një legjendë e vjetër tiranase thotë se kur Kokonozët deshën të ngrinin xhaminë, ata nuk u lejuan prej pasardhësve të Sulejman Pashë Bargjinit, që të ngrinin një xhami të madhe dhe të bukur si ajo e Sulejman Pashës, për këtë, në fillim xhamia u ndërtua prej druri. Më pas kur pasardhësit e Sulejman Pashës u futën në luftëra të njëpasnjëshme me Toptanasit e Krujës, ata i kërkuan ndihmë ekonomike gjithë popullit të Tiranës (po ashtu edhe Kokonozëve), në mënyrë që të gjithë të ndihmonin në mbrojtjen e qytetit. Në këmbim të ndihmës, Kokonozët i kërkuan Bargjinëve leje që xhaminë e tyre prej druri ta rindërtonin nga fillimi me gurë dhe ta pajisnin me minare. Kështu nisi jeta e re e kësaj xhamie 250 vjeçare.

Përshkrim mbi xhaminë

E veçanta e kësaj xhamie, është se kupola e saj është e mbuluar prej çatisë, në ndryshim prej shumë xhamive të tjera, tek të cilat kupola është e veshur me plumb dhe luan shumë role njëherësh si: rolin e vetë çatisë, atë akustik, zbukurues etj.

Mahfili i xhamisë është prej druri dhe ngrihet në lartësinë 3 m prej bazamentit, ai ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë edhe sot si vendfalje për gratë.

Xhamia është 10 m e gjatë, 8 m e gjerë dhe 10 m e lartë. Xhamia është e pajisur edhe me “hajat”, i cili në të vërtetë nuk është hajat, por meqë xhamia është ndarë në dy pjesë, pjesa e dytë ka luajtur rolin e hajatit. Protohajati i ka përmasat 5 x 8 m. Dritaret e sipërme të xhamisë janë në formë katrore, ndërsa dritaret e poshtme janë me harkata me majë të ndërtuara sipas stilit gotik. Është e vështirë që të gjesh xhami të tjera në Shqipëri ku stili gotik (në rastin kësaj xhamie ai i dritareve) të ndërthuret harmonishëm me bukurinë e kupolës dhe afresket e xhamisë.

Mihrabi është i harkuar me dalje nga jashtë, lartësia e tij shkon deri në tavan. Në fund ai është i zbukuruar me disa tipare të veçanta që e bëjnë unikal në Shqipëri për nga forma që ai merr. Ai ngjan më shumë si një derë e madhe që mbahet mbi dy shtylla. Xhamia sot ruan vetëm afresket e kupolës dhe të tavanit, të cilat gëzojnë një gjendje të mirë, ndërsa të gjitha afresket e tjera si ato të mureve, janë prishur.