Inagurim i ambjenteve të reja magazinuese në Pazarin e Ri, Tiranë
AADF në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe shoqatën e biznesit TID Tirana organizuan aktivitetin e inagurimit të ambjenteve të reja magazinuese në zonën e Pazarit të Ri. Në këtë ceremoni moren pjesë Kryetari i Bordit Drejtues të AADF-së Z. Michael D. Granoff, Kryetari i Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj, Anëtarë të Bordit si dhe Bashkë-Drejtues të AADF-së, dhe drejtues të shoqatës së biznesit TID Tirana.
Investimi aktual i AADF prej më se 90,000 $, frymëzuar nga ambjentet simotra në Borough Market të qytetit të Londrës, synon t’i japë një zgjidhje efikase problemit të mungesës së magazinave në zonën e Pazarit të Ri. Infrastruktura prej 600 m2 ndodhet në zemër të Pazarit pranë Sheshit Kreativ. Ajo ka në brendësinë e saj 90 celula të ndara, të cilat ofrojnë standarte të larta magazinimi si nga ana higjeno-sanitare ashtu dhe nga ajo e facilitetit logjistik. Ambjentet e reja magazinuese do të administrohen nga shoqata TID Tirana dhe do të jenë në dispozicion të mbi 100 tregtarëve të Markatës së Fruta-Perimeve dhe Markatës së Mish-Peshkut, si dhe bizneseve të tjera të zonës.
AADF ka angazhuar deri tani rreth 1.9 milion $ në projektin e restaurimit të Pazarit të Ri të Tiranës. Projekti i plotë që përfshin mbështetje të vazhdueshme për bizneset dhe promovimin e zonës kap vlerën e rreth 2.5 milion $. Ndersa per te gjitha Projektet BID/TID (Business/Tourism Improvement District) qe bashkëfinancohen dhe koordinohen prej 6-vitesh, AADF ka angazhuar rreth 20 milion $ në 8 projekte të shtrira në të gjithë Shqipërinë.